Pas kërkesës së Naim Murselit drejtuar Gjykatës së Apelit për zbutjen e dënimit me burgim të përjetshëm, ka reaguar ashpër Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt.
Ai e ka cilësuar kërkesën si të padrejtë dhe kontradiktore, duke kujtuar se Murseli për tri vite nuk e kishte pranuar fajësinë.
“Kur për 3 vite me radhë asnjëherë nuk e ka pranuar fajësinë, tash pas vendimit të gjykatës i ka rënë ndërmend të kërkojë ulje dënimi”, është shprehur Ademaj.
Familja e Liridonës kërkon që dënimi me burgim të përjetshëm të mbetet në fuqi, duke theksuar se nuk ka asnjë arsye për lehtësimin e tij.
Leonard Ademaj ka bërë të ditur gjithashtu se familja kërkon burgim të përjetshëm edhe për Kushtrim Kokallën, duke pretenduar se ai kishte rol aktiv në organizimin e vrasjes.
Ndërkohë, më 29 tetor, në orën 09:50, Gjykata e Apelit pritet të shqyrtojë ankesën e Murselit, përmes së cilës mbrojtja kërkon prishjen e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
A duhet të mbetet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për Naim Murselin?