Ndalet për 48 orë Gani Geci, dyshohet se kërcënoi gazetarin Lirim Mehmetaj – Policia jep detajet

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13.10.2026, 09:44

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gani Geci, është ndaluar për 48 orë, nën dyshimin për kanosje ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj.

Policia e Kosovës ka konfirmuar në raportin 24-orësh se pas intervistimit të të dyshuarit, me vendim të prokurorit, është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë.

Rasti lidhet me një përplasje mes Gecit dhe gazetarit Mehmetaj, i cili ka deklaruar publikisht se është kërcënuar pas një postimi kritik ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci.

Sipas deklarimeve të gazetarit, anëtarë të familjes Geci i kishin kërkuar ta fshinte ose ta ndryshonte postimin, por ai kishte refuzuar. Mehmetaj ka bërë të ditur se kërcënimet e pretenduara i kishte denoncuar në polici.

Mbrëmjen e së hënës, Gani Geci raportohet se kishte shkuar pranë ambienteve të Televizionit Dukagjini, ku Mehmetaj po merrte pjesë në një debat televiziv.

Në raportin e Policisë, rasti është regjistruar si vepër penale “Kanosje”, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë rrethanat e plota.

Ndalimi për 48 orë është masë procedurale dhe nuk përbën vendim për fajësinë e Gecit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit