Një skuter elektrik është vjedhur në mes të ditës në zonën e Tajvanit, në qendër të Tiranës, ndërsa kamerat e sigurisë kanë regjistruar momentin kur merret nga personi që shfaqet në pamje.
Ngjarja ka ndodhur më 12 tetor, rreth orës 16:38, kur skuteri ishte i parkuar pranë një kioske në zonën e frekuentuar nga qytetarët.
Në pamjet e kamerave shihet një person që kalon disa herë pranë vendit ku ndodhet skuteri, ndërsa vështron ambientin përreth. Pak çaste më vonë, ai afrohet, kap skuterin nga timoni dhe largohet me të.
Gjithçka ndodh në mes të ditës, në një zonë ku lëvizin këmbësorë dhe ku, në pamje, nuk mungojnë njerëzit që kalojnë pranë.
Pronari i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me shpresën se publikimi i pamjeve do të ndihmojë në identifikimin e personit dhe gjetjen e skuterit të vjedhur.
Nëse e njihni personin në video ose keni informacion që mund të ndihmojë në zbardhjen e rastit, njoftoni Policinë ose kontaktoni redaksinë e JOQ Albania.