Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Ferizaj, ku një punëtor 54-vjeçar ka humbur jetën tragjikisht gjatë kryerjes së punimeve në një objekt në ndërtim.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në rrugën “Cen Dugolli”, ku sipas informacioneve të para, viktima dyshohet se është rrëzuar nga kati përdhes në bodrumin e objektit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë policia dhe ekipet emergjente, por fatkeqësisht 54-vjeçari është konstatuar pa shenja jete.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit rajonalë, ndërsa janë njoftuar Inspektorati i Punës dhe prokurori i shtetit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.
Një tjetër jetë e humbur në vendin e punës, ndërsa siguria e punëtorëve në kantieret e ndërtimit mbetet një çështje që kërkon vëmendje serioze.