Në moshën 55-vjeçare, kur shumëkush e konsideron arsimin një kapitull të mbyllur të jetës, Merita Sheni nga Shkodra dëshmon se për të mësuar nuk është kurrë vonë. Ndonëse tashmë është gjyshe, ajo ka vendosur të rikthehet në bankat e shkollës së mesme, për të përmbushur një dëshirë që nuk arriti ta realizonte në rininë e saj.
Merita është një nga nxënëset më të veçanta të gjimnazit “Kolë Idromeno” në Shkodër. Vendimi për të vijuar studimet në këtë moshë është pritur me mbështetje nga familja e saj, bashkëshorti dhe fëmijët, të cilët e kanë inkurajuar në këtë rrugëtim të ri.
Përmes shembullit të saj, Merita përcjell një mesazh të rëndësishëm për të rinjtë, por edhe për bashkëmoshatarët e saj: arsimi nuk ka moshë dhe asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga mundësia për të mësuar e për të përmbushur ëndrrat e lëna pezull.
Ajo nuk është e vetmja që ka zgjedhur t'i rikthehet shkollës pas një ndërprerjeje të gjatë. Në klasat e pasdites të arsimit të mesëm të përgjithshëm në Shkodër ndjekin mësimet edhe shumë persona të tjerë, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur ta përfundojnë shkollimin në moshën e duhur.
Historia e Meritës është një dëshmi se vullneti dhe dëshira për dije mund të kapërcejnë çdo pengesë, pavarësisht moshës apo rrethanave të jetës.