Qytetarët e Kosovës po përballen me një tjetër valë shtrenjtimesh, ndërsa kostoja e jetesës vazhdon të rritet. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në muajin shtator 2026 ka arritur në 7.8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Goditjen më të madhe në çmime e ka pësuar sektori i transportit, ku është regjistruar një rritje drastike prej 23.9%. Ndërkohë, shpenzimet për banim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë djegëse janë rritur me 11.9%, duke rënduar edhe më shumë buxhetet familjare.
Shtrenjtimet nuk kanë kursyer as sektorë të tjerë. Pijet alkoolike dhe duhani janë rritur me 6.3%, restorantet dhe akomodimi me 5.2%, ndërsa shërbimet shëndetësore me 4.5%.
Edhe produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike kanë shënuar rritje vjetore prej 2.4%, ndërsa veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar me 3%.
Sipas ASK-së, vetëm gjatë shtatorit çmimet e konsumit janë rritur me 0.2% krahasuar me gushtin, duke treguar se tendenca e shtrenjtimit ka vijuar edhe gjatë muajit të fundit.
Këto shifra dëshmojnë se presioni i çmimeve mbetet i lartë për qytetarët, të cilët duhet të përballojnë kosto gjithnjë e më të mëdha për transportin, energjinë dhe nevojat e përditshme.