Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë zbuluar mallra të padeklaruara në vlerë prej rreth 10 mijë e 300 eurosh gjatë një kontrolli të kryer në Zyrën e Brendshme Doganore në Vërmicë.
Sipas njoftimit të Doganës, gjatë procedurave të zhdoganimit janë vërejtur parregullsi në sasinë e mallrave të deklaruara, çka ka bërë që dërgesa të përzgjidhet për kontroll fizik.
Pas verifikimit të dokumentacionit dhe kontrollit të detajuar të ngarkesës, doganierët kanë konstatuar se një pjesë e mallrave nuk ishte deklaruar fare.
Vlera e mallrave të padeklaruara është përllogaritur në rreth 10,300 euro.
Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e parregullsive doganore, mbrojtjen e buxhetit të shtetit dhe zbatimin e ligjit ndaj të gjithë operatorëve ekonomikë.