Një vit pas alarmit të ngritur më 12 tetor 2025, tregu i mikrokredisë në Shqipëri kërkon më shumë se deklarata për mbrojtjen e konsumatorit: kërkon transparencë mbi fitimet, kostot reale të huave dhe pasojat për familjet. Në fund të vitit 2024, portofoli bruto i kredive të institucioneve financiare jobanka arriti në 58.7 miliardë lekë, nga 53.6 miliardë lekë një vit më parë, ndërsa vetëm portofoli i mikrokredisë ishte 24.1 miliardë lekë.
Këto shifra tregojnë peshën e konsiderueshme të sektorit, por edhe një problem thelbësor: kur qytetarët marrin hua për të përballuar shpenzimet e përditshme, shëndetin apo detyrimet urgjente, sa prej tyre e kuptojnë koston përfundimtare të borxhit? Fitimi prej rreth 3 miliardë lekësh i raportuar për gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 duhet të shërbejë si pikënisje për një hetim më të thelluar, jo si provë më vete për abuzim. Një nga problemet kryesore është se një kredi mund të duket e përballueshme nga kësti mujor, por të bëhet shumë më e kushtueshme kur shtohen interesat, komisionet dhe penalitetet. Lista e çmimeve e IuteCredit, në fuqi nga 12 shkurti 2026, parashikon norma nominale interesi deri në 44.4% për kreditë cash, ndërsa norma efektive e interesit përfshin edhe kostot e tjera të huasë.
Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë njoftoi se gjatë vitit 2025 iu revokua licenca dy institucioneve dhe iu pezullua aktiviteti një tjetri; vetë institucioni pranon se mbikëqyrja duhet të përqendrohet te kostot, penalitetet, vlerësimi i aftësisë paguese dhe trajtimi i klientëve Banka e Shqipërisë me Guvernator Gent Sejkon, duhet të japë llogari për rezultatet e mbikëqyrjes, jo vetëm për rregullat që miraton. Sa qytetarë kanë përfituar konkretisht nga ndërhyrjet e saj? Sa ankesa për interesa, komisione dhe penalitete janë trajtuar dhe sa prej tyre kanë sjellë korrigjimin e praktikave të institucioneve financiare? Pse nuk publikohet rregullisht një pasqyrë e krahasueshme e kostos efektive të kredive konsumatore, ankesave dhe ristrukturimeve?
Një vit pas alarmit, pyetja nuk është vetëm sa fitojnë kompanitë e mikrokredisë, por nëse kontrolli mbi to po funksionon realisht për qytetarin.