Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, mbërrin sot në Tiranë për një vizitë zyrtare, gjatë së cilës pritet të nënshkruhen marrëveshje bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Izraelit. Megjithatë, ndërsa pala izraelite ka bërë të ditur disa nga fushat ku synohet thellimi i bashkëpunimit, zyra e kryeministrit Edi Rama nuk ka zbuluar detaje konkrete mbi marrëveshjet që pritet të firmosen.
Në axhendën e kryediplomatit izraelit parashikohen takime me kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe ministrin e Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha. Sipas njoftimit të Ministrisë së Jashtme izraelite, bashkëpunimi mes dy vendeve përfshin tregtinë, sigurinë kibernetike, inovacionin, menaxhimin e ujit, energjinë, shëndetësinë dhe bujqësinë. Megjithatë, ende nuk janë bërë publike hollësi mbi përmbajtjen e dokumenteve që do të nënshkruhen dhe angazhimet konkrete që do të marrë përsipër secila palë.
Mungesa e informacionit nga zyra e kryeministrit Rama lë të paqartë se cilat marrëveshje do të konkretizohen gjatë vizitës dhe çfarë përfitimesh pritet të sjellin ato për Shqipërinë. Deri në publikimin e detajeve zyrtare nga pala shqiptare, mbetet për t'u parë se cilat do të jenë rezultatet konkrete të takimeve dhe në çfarë kushtesh do të zhvillohet bashkëpunimi në fushat e paralajmëruara.