Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e së dielës fshatin Pogragjë të Gjilanit, ku një 29-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga babai i tij.
Viktima është identifikuar si Bajram Arifi, ndërsa i dyshuari për krimin është babai i tij, Ramiz Arifi.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sinjali, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor, rreth orës 19:30. Dyshohet se Ramiz Arifi ka qëlluar me armë zjarri drejt të birit, duke i shkaktuar plagë fatale.
Menjëherë pas të shtënave, në vendngjarje ka mbërritur ekipi i emergjencës, i cili ka konstatuar vdekjen e 29-vjeçarit.
Pas krimit, Ramiz Arifi dyshohet se është larguar nga vendngjarja me një automjet të markës Suzuki.
Njësitë e Policisë së Kosovës kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa sipas informacioneve fillestare po punohet edhe për lokalizimin e të dyshuarit.
Ende nuk dihen motivet që mund të kenë çuar në këtë tragjedi familjare, ku një baba dyshohet se i mori jetën djalit të tij.