Një ditë pas sulmit me 12 viktima, Huthët godasin sërish aeroportin e Riadit

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 11.10.2026, 18:04

Aeroporti ndërkombëtar i Riadit, në Arabinë Saudite, është goditur sërish të dielën, vetëm një ditë pasi një sulm me raketë në të njëjtin kompleks aeroportual vrau 12 persona dhe plagosi rreth 300 të tjerë.

Lajmi u bë i ditur nga koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, i cili po lufton rebelët Huthi në Jemen, të mbështetur nga Irani. Deri më tani, nuk ka detaje të qarta mbi përmasat e sulmit të fundit dhe asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për të.

Sulmi i së shtunës ishte më vdekjeprurësi në një vend arab të Gjirit që prej nisjes së luftës me Iranin. Aeroporti mbeti i mbyllur edhe të dielën, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit po shton shqetësimet për përfshirjen e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër Huthive.

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e ndërhyrjes dhe se planifikonte të bisedonte me princin e kurorës saudite, Mohammed bin Salman.

Përshkallëzimi i konfliktit kërcënon gjithashtu furnizimin global me naftë dhe transportin detar në Detin e Kuq, veçanërisht në Ngushticën Bab el-Mandeb, një korridor strategjik për tregtinë ndërkombëtare dhe alternativë e rëndësishme ndaj Ngushticës së Hormuzit.

Ndërkohë, autoritetet shëndetësore në zonat e kontrolluara nga Huthit raportuan se një fëmijë u vra dhe gjashtë persona u plagosën nga një sulm ajror i dyshuar saudit ndaj një banese në Sana, kryeqytetin e Jemenit. Sipas tyre, 91 persona janë vrarë nga sulmet e koalicionit saudit gjatë pesë javëve të fundit, 60% e të cilëve gra dhe fëmijë. Arabia Saudite nuk kishte reaguar menjëherë ndaj këtyre pretendimeve.

Konflikti po përshkallëzohet ndërsa forcat qeveritare jemenase, me mbështetjen ajrore të koalicionit saudit, po përpiqen të rimarrin territoret e humbura pranë Ngushticës Bab el-Mandeb.

Analistët paralajmërojnë se goditjet ndaj infrastrukturës kritike saudite mund të kenë efekt të kundërt nga ai që synojnë Huthit, duke e shtyrë Riadin të intensifikojë fushatën ushtarake në vend që të tërhiqet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit