Burri hyn në kafazin e tigrit, kafsha e sulmon

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 11.10.2026, 14:52

Një ngjarje tronditëse është regjistruar në parkun e kafshëve të egra Yorkshire Wildlife Park, pranë qytetit Doncaster në Britani, ku një burrë hyri në hapësirën e rrethuar të një tigri dhe u sulmua prej tij. Sipas raportimeve, burri ndodhej në gjendje të rënduar emocionale kur kaloi barrierat dhe hyri në territorin e kafshës, e cila i shkaktoi plagë të rënda.

Ngjarja ndodhi rreth orës 13:30 dhe shkaktoi panik mes vizitorëve, të cilët u detyruan të largoheshin nga zona. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë burrin, i veshur me një bluzë të zezë, të gjunjëzuar në tokë me krahët e hapur. Në një moment, tigri i afrohet nga pas, e kafshon në shpinë dhe e rrëzon përtokë, duke vijuar sulmin. Në video dëgjohet burri duke bërtitur disa herë: “Ndal!”.

Sipas mediave britanike, punonjësit e parkut ndërhynë duke përdorur fishekë të posaçëm me gaz, me qëllim frikësimin e tigrit dhe largimin e tij nga burri i plagosur. Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë në ambientet e parkut, ndërsa rrethanat e plota të incidentit dhe gjendja shëndetësore e burrit nuk bëhen të ditura në informacionin e publikuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit