Atentati me tritol i mori jetën: Beqiri sapo ishte kthyer nga Tirana dhe po shkonte në shtëpi

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 11.10.2026, 09:18

Beqir Devolli, 48 vjeç, ka ndërruar jetë pas shpërthimit me tritol që tronditi Gjirokastrën ditën e shtunë. Ai ishte në drejtimin e automjetit tip “Mercedes-Benz”, i cili shpërtheu pranë Drejtorisë Vendore të Policisë.

Devolli nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ai ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të së dielës, teksa po transportohej me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, 48-vjeçari dyshohet se ishte objektivi i sulmit. Fillimisht, dyshimet ishin përqendruar te pasagjeri i automjetit, Rigers Mela, i cili gjithashtu mbeti i plagosur, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se Devolli sapo ishte kthyer nga Tirana dhe po udhëtonte drejt banesës së tij në lagjen “Palorto”. Rreth 700 metra përpara vendit ku ndodhi shpërthimi, në automjet ishte bashkuar edhe Mela.

Ky i fundit është përmendur edhe më parë në një ngjarje kriminale. Rreth një vit më parë, në zonën e Dunavatit në Gjirokastër, atij iu dogj një automjet tip “Range Rover”.

Beqir Devolli njihej edhe me nofkën “Çilo Hunderri”. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ai mund të ketë qenë i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike drejt Greqisë. Megjithatë, sipas informacioneve të raportuara, në Policinë e Gjirokastrës nuk rezulton të ketë pasur dosje të hapur në ngarkim të tij.

Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e atentatit, për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar motivin e sulmit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit