Bizneset që shesin produkte apo ofrojnë shërbime përmes internetit në Kosovë kanë afat deri më 31 tetor 2026 që të regjistrohen dhe të pajisen me certifikatën përkatëse të biznesit.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar se nga 1 nëntori do të nisin kontrollet ndaj bizneseve online, për të verifikuar nëse ato po i respektojnë detyrimet ligjore.
Sipas saj, inspektorët do të kontrollojnë jo vetëm bizneset që operojnë në internet, por edhe kompanitë postare që merren me shpërndarjen e porosive.
Kusari-Lila ka theksuar se ky hap synon formalizimin e tregtisë online, mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e konkurrencës së barabartë në treg.
“Nuk mund të ketë konkurrencë të drejtë kur disa biznese i respektojnë rregullat, ndërsa të tjerat i shmangin ato”, ka deklaruar ministrja.
Ajo u ka bërë thirrje të gjithë atyre që zhvillojnë aktivitet tregtar online që të përfundojnë regjistrimin brenda afatit, duke paralajmëruar se kërkesat ligjore vlejnë për të gjithë, pa përjashtim.
A mendoni se këto kontrolle do ta rregullojnë tregtinë online në Kosovë, apo do të jenë një barrë shtesë për bizneset e vogla?