Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) ka dalë me një apel të rëndësishëm për qytetarët që blejnë stoli dhe produkte prej ari e argjendi, duke u kërkuar të kenë kujdes dhe të mos blejnë pa kërkuar garanci dhe dokumentacionin përkatës.
Sipas AMK-së, qytetarët duhet të sigurohen që produktet që blejnë janë të verifikuara dhe të vulosura, në mënyrë që të mos rrezikojnë të paguajnë për ar apo argjend që nuk e ka pastërtinë e deklaruar nga shitësi.
Agjencia ka bërë të ditur se përmes laboratorit të saj kryen kontrolle të hollësishme të arit, argjendit, platinit dhe paladiumit, duke përdorur pajisje moderne me rreze X për të përcaktuar përbërjen dhe pastërtinë e tyre.
Për secilin produkt kryhen tri matje të njëpasnjëshme, ndërsa te ari kontrollohen pastërtitë prej 14, 18, 22 dhe 24 karatë. Produktet që i plotësojnë standardet ligjore dhe teknike pajisen me vulën përkatëse.
Sipas legjislacionit në fuqi, bizneset janë të obliguara t'i dërgojnë produktet për verifikim para se t'i nxjerrin në shitje. Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, ato mund të përballen me sanksione ligjore.
Vetëm gjatë vitit 2025, laboratori i AMK-së ka pranuar 470 kërkesa për verifikimin e metaleve të çmuara.
Prandaj, para se të shpenzoni qindra apo mijëra euro për stoli ari, kërkoni faturën, garancinë dhe dëshminë e verifikimit.
Po ju, a e kontrolloni ndonjëherë pastërtinë e arit që blini, apo i besoni vetëm fjalës së shitësit?