Një krim i rëndë ka tronditur Gjilanin, ku një burrë dyshohet se ka vrarë bashkëshorten dhe vëllain e saj, ndërsa ka plagosur rëndë një tjetër familjar.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten në Livoç të Ulët, ku Valon Ramushi dyshohet se qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij, Nafije Bogujevci, dhe kunatin, Egzon Bogujevci.
Nga të shtënat mbeti i plagosur rëndë edhe 48-vjeçari Mazllum Bogujevci, i afërm i viktimave, i cili iu nënshtrua një operacioni kirurgjik. Gjendja e tij është raportuar e rëndë, por stabile.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se përdori një pistoletë të tipit “Bereta”, leja e së cilës kishte skaduar.
Policia u njoftua për krimin rreth orës 14:26, ndërsa pas largimit të autorit të dyshuar nga vendngjarja u aktivizua operacioni “Unaza e Çeliktë”. Megjithatë, vetëm 16 minuta më vonë, në orën 14:42, Ramushi u vetëdorëzua në Stacionin Policor.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se i dyshuari nuk kishte të kaluar kriminale dhe se ndaj tij nuk ishte raportuar më parë ndonjë rast i dhunës në familje.
Hetuesit kanë kryer kontrolle në tri prona të të dyshuarit, ndërsa motivi i kësaj tragjedie familjare mbetet ende i paqartë.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit që i mori jetën dy personave dhe la një tjetër të plagosur rëndë.