Për të gjashtën të shtunë radhazi, qytetarët e Vlorës janë mbledhur përpara kantierit të muzeut hebraik në qendrën historike të qytetit, duke kërkuar ndalimin e punimeve dhe kundërshtuar projektin që ka shkaktuar debat të fortë mes tyre.
Protesta u shoqërua me fjalime të forta dhe akuza ndaj qeverisë së Edi Ramës, të cilën pjesëmarrësit e akuzuan për cenimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore në funksion të interesave personale dhe përfitimeve politike. Disa prej tyre shkuan edhe më tej, duke e cilësuar projektin si një akt që, cenon interesin kombëtar.
Gjatë tubimit, grupi nismëtar bëri të ditur se këtë javë ka depozituar në gjykatë një padi lidhur me shkeljet ligjore që janë konstatuar në projekt. Sipas protestuesve, javën e ardhshme pritet të ketë një vendim paraprak për kërkesën për pezullimin ose jo të punimeve.
Tensionet u rritën drejt fundit të protestës, kur disa të pranishëm bënë thirrje për rrëzimin e gardhit që rrethon kantierin. Një përpjekje për ta realizuar këtë nuk pati sukses, ndërsa policia ndërhyri për të parandaluar veprimin.
Protesta u mbyll me mesazhe drejtuar Policisë së Shtetit dhe thirrje për të pritur vendimin e gjykatës. Ndërkohë, organizatorët paralajmëruan se të shtunën e ardhshme mund të thërrasin një protestë kombëtare në të njëjtin vend, duke e zgjeruar kundërshtimin përtej qytetit të Vlorës.
Për gjashtë javë rresht, qytetarët kanë vijuar të dalin në rrugë, ndërsa përplasja mes kundërshtarëve të projektit dhe institucioneve pritet të marrë një tjetër drejtim në varësi të vendimit të gjykatës.
Tashmë, beteja për kantierin e muzeut hebraik pritet të zhvendoset edhe në sallën e gjyqit, ndërsa protestuesit paralajmërojnë se nuk do të ndalen.