Ekskursioni shkollor në Monte Karlo, që duhej të ishte një udhëtim për nxënësit, është kthyer në një histori që po bën zhurmë në Maqedoninë e Veriut. Drejtoresha Zhaneta Servini dhe ndihmësdrejtori Lupço Zdravkovski akuzohen se kanë kaluar kohën në makinat elektronike të kazinosë, ndërsa nxënësit që kishin nën kujdes i prisnin në holl. Pra, sipas denoncimit, mësuesit në lojë, nxënësit në pritje!
Akuzat janë ngritur nga LSDM-ja, përmes përfaqësuesit të saj për arsimin, Jovançe Manaskov, i cili pretendon se për ngjarjen ekzistojnë edhe video dhe fotografi. Sipas tij, pamjet do të publikohen duke ua mbuluar fytyrat nxënësve të mitur. Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si u përmbush përgjegjësia për shoqërimin dhe mbikëqyrjen e të rinjve gjatë udhëtimit.
Tashmë, LSDM-ja kërkon ndërhyrjen urgjente të ministres së Arsimit, Vesna Janevska, për të verifikuar çfarë ka ndodhur dhe nëse drejtuesit kanë shkelur detyrimet e tyre. Deri tani nuk ka reagim nga personat e akuzuar apo ministria.