Tre shtetas shqiptarë, të moshave 29, 31 dhe 38 vjeç, janë arrestuar në qytetin e Gijónit, në Spanjë, në kuadër të një operacioni të përbashkët të Gardës Civile dhe Policisë Kombëtare. Sipas autoriteteve spanjolle, grupi dyshohet se ishte vendosur në zonë për të kryer vjedhje në banesa, duke përdorur automjete me targa të dyfishta dhe duke marrë me qira apartamente për të shmangur vëmendjen e policisë.
Arrestimet u kryen më 1 tetor, në rrugën Maestro Amado Morán, në lagjen La Calzada. Sipas hetuesve, dy prej të arrestuarve kishin lidhje të mëparshme me grupin e njohur si “banda e Mercedesit”, i përmendur nga autoritetet për aktivitet kriminal.
Hetimi nisi pas një serie vjedhjesh të raportuara në rajonin e Asturias. Gjatë dy javëve të para të korrikut, nëntë banesa ishin grabitur në zona të ndryshme të rajonit, çka bëri që autoritetet të dyshonin për veprimtarinë e një grupi që lëvizte nga një vend në tjetrin.
Sipas informacionit të mbledhur nga policia, të dyshuarit përdornin dy automjete. Njëri prej tyre, një Mercedes-Benz me targa të dyfishta, dyshohet se shërbente për kryerjen e vjedhjeve, ndërsa automjeti tjetër, me dokumentacion të rregullt, përdorej për lëvizjet e zakonshme, me qëllim shmangien e dyshimeve.
Hetuesit shpjegojnë se grupe të tilla qëndrojnë për periudha të shkurtra në zona të ndryshme, ku kryejnë disa vjedhje dhe më pas largohen. Për të mos rënë në sy, ata mund të akomodohen në banesa të marra me qira për qëndrime turistike.
Në rastin konkret, grupi kishte marrë me qira një apartament në Gijón. Banesa ishte siguruar përmes një gruaje me origjinë latinoamerikane, e cila rezultonte e regjistruar në një qendër sociale në Barcelonë. Sipas të dhënave të hetimit, në atë adresë figuronin rreth 5.000 persona, çka e vështirësoi verifikimin e mëtejshëm të kësaj piste.
Hetimet morën një drejtim të ri në gjysmën e dytë të shtatorit, kur autoritetet mësuan se e njëjta grua kishte dhënë me qira një apartament në lagjen La Calzada për një periudhë prej vetëm nëntë ditësh. Kjo lëvizje ngriti dyshime dhe policia nisi mbikëqyrjen e banesës, duke shmangur çdo veprim që mund të sinjalizonte personat nën hetim.
Gjatë vëzhgimit, efektivët konstatuan mbërritjen e dy personave me një Mercedes-Benz, të cilëve më pas iu bashkuan edhe dy të tjerë. Sipas autoriteteve, personat e përfshirë ishin me origjinë nga Evropa Lindore dhe shtetësi shqiptare.
Lëvizjet e tyre ngritën dyshime të mëtejshme kur u vu re se frekuentonin një qendër tregtare pranë apartamentit, ku blinin vegla pune dhe doreza. Hetuesit dyshojnë se këto materiale do të përdoreshin për të realizuar vjedhje të tjera.
Nga hetimet rezultoi gjithashtu se Mercedes-Benz-i ishte përdorur në dy vjedhje të kryera në zonat Ceares dhe Viesques të Gijónit. Në të dyja rastet, autorët kishin hyrë me forcë në banesa dhe kishin marrë para dhe bizhuteri.
Pas mbledhjes së provave, më 1 tetor policia ndërhyri në rrugën Maestro Amado Morán, ku arrestoi tre të dyshuarit. Gjatë operacionit, njëri prej tyre kundërshtoi efektivët, duke plagosur një punonjës të Policisë Kombëtare.
Tre të arrestuarit janë paraqitur përpara autoriteteve gjyqësore dhe aktualisht ndodhen në paraburgim në burgun e Asturias.
Sipas autoriteteve spanjolle, ndërhyrja mund të ketë parandaluar kryerjen e vjedhjeve të tjera në zonë, përpara se grupi të zgjeronte aktivitetin e tij kriminal.