Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi Panamanë të premten, duke shkaktuar panik në kryeqytet dhe dëme në disa ndërtesa në pjesën qendrore të vendit. Deri më tani, nuk janë raportuar viktima.
Lëkundjet sizmike u regjistruan në orën 12:56 sipas kohës lokale, me epiqendër rreth 10 kilometra nga Pitaloza Arriba, në provincën Herrera, në pjesën jug-qendrore të Panamasë, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS).
Momenti i tërmetit u kap edhe gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të një emisioni sportiv në televizionin RPC. Sapo ndien lëkundjet, gazetarët dhe panelistët u ngritën me shpejtësi nga vendet e tyre dhe u larguan nga studioja. Kamerat, të cilat mbetën në vend, filmuan momentin kur lëkundjet u bënë edhe më të forta.
Tërmeti zgjati rreth një minutë dhe u ndje fuqishëm edhe në kryeqytetin e Panamasë, ku mijëra qytetarë dolën me nxitim nga ndërtesat për t’i shpëtuar rrezikut.
Autoritetet njoftuan se Kanali i Panamasë, përmes të cilit kalon rreth 5% e tregtisë detare ndërkombëtare, po funksionon normalisht, ndërsa ekipet e specializuara po kontrollojnë infrastrukturën për dëmtime të mundshme.
Ndërkohë, aeroporti ndërkombëtar Tocumen u mbyll përkohësisht dhe disa fluturime u devijuan drejt aeroporteve të tjera.
Sipas drejtorit të Institutit të Gjeoshkencave të Universitetit të Panamasë, Néstor Luqué, pas tërmetit janë regjistruar më shumë se 90 pasgoditje, disa prej të cilave me magnitudë deri në 6 ballë. Lëkundjet u ndien në të gjithë Panamanë, si dhe në Kosta Rikën fqinje. Pas tërmetit u lëshua edhe një paralajmërim për cunami në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, por alarmi u anulua më vonë.