Një operacion i gjerë antidrogë i “FBI grek” ka çuar në sekuestrimin e më shumë se 35 kg kokainë dhe rreth 312 kg kanabis në disa zona të Atikës, në Greqi. Në pranga kanë rënë dy shqiptarë, 44 dhe 23 vjeç, si dhe një shtetas grek 29-vjeçar, ndërsa një person i katërt është shpallur në kërkim.
Sipas mediave greke, operacioni u zhvillua më 7 tetor, pas një hetimi të koordinuar nga nënstruktura e luftës kundër narkotikëve në Drejtorinë e Luftës kundër Krimit të Organizuar. Hetuesit dyshojnë se grupi përdorte ambiente për ruajtjen e përkohshme të sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, 44-vjeçari shqiptar u kap në një zonë të Atikës Verilindore me 3 kg e 215 gramë kokainë, të cilën dyshohet se e mbante për ta shpërndarë. Ndërkohë, në bagazhin e makinës së 29-vjeçarit grek, në Atikën Perëndimore, u gjetën 10 kg e 800 gramë kanabis i papërpunuar i llojit SKUNK dhe 3 kg e 900 gramë kanabis i përpunuar.
Hetimet e mëtejshme çuan policinë te një banesë në Artemida, ku u zbulua pjesa më e madhe e lëndëve narkotike. Aty u sekuestruan 32 kg e 65 gramë kokainë, 245 kg e 700 gramë SKUNK dhe 51 kg e 600 gramë kanabis i përpunuar, i njohur në tregun e paligjshëm si “çokollatë”.
Por ajo që tërhoqi veçanërisht vëmendjen e autoriteteve ishin paketimet e kësaj të fundit, të cilat mbanin fotografitë e Donald Trump, Vladimir Putin, Benjamin Netanyahu dhe Pablo Escobar, si dhe logon e një marke të njohur këpucësh. Sipas raportimeve greke, këto imazhe mund të shërbenin si shenja identifikuese për sasitë ose si kode gjatë komunikimit për porositë, por ky funksion nuk është konfirmuar përfundimisht.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, hetuesit dyshojnë se lëndët narkotike mund të kishin mbërritur nga Spanja dhe se ambienti në Artemida shërbente si pikë e përkohshme magazinimi. Megjithatë, këto të dhëna mbeten pjesë e pistave hetimore.
Gjatë kontrollit në banesën ku u gjetën sasitë e mëdha, 23-vjeçari shqiptar dyshohet se kundërshtoi policinë dhe shtyu efektivët. Ndërkohë, 44-vjeçari rezulton të jetë akuzuar më parë për vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim dhe shkelje të legjislacionit për armët dhe narkotikët.
Të tre të arrestuarit janë përballur me akuza që, sipas rastit, lidhen me blerjen, posedimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe me dhunën ndaj punonjësve të policisë. Ata janë dërguar përpara autoriteteve gjyqësore, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personit të katërt dhe zbardhjen e plotë të aktivitetit të dyshuar.