Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) e drejtuar tashmë nga Igli Tafa, ka përmbyllur një tjetër procedurë tenderuese me vlera marramendëse, duke ngritur dyshime të forta për garë fallso dhe abuzim me fondet publike.
Sipas dokumenteve zyrtare, bëhet fjalë për tenderin me objekt "Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve", me një fond limit prej 770,820,400 lekësh pa TVSH ose rreth 10 milionë euro me TVSH.

Gara fallso: Tre kompanitë garojnë pa shifër
Dokumenti i renditjes së ofertave zbulon prapaskenën e kësaj procedure. Në garë kanë marrë pjesë katër operatorë ekonomikë, por tre prej tyre, ENTECH.AL, iCom dhe MetaSoft360, kanë shërbyer thjesht si "dekor" duke mos paraqitur fare ofertë ekonomike.
E vetmja që ka paraqitur ofertë financiare është bashkimi i operatorëve ekonomikë:
PRIMUS ALBANIA Shpk (Ish-Jehona Software), me administrator Hrvoje Cabrajic
DATECH Shpk me administrator dhe ortak kryesor Lulëzim Basha
ADM – Advanced Data Management Shpk (me ortak të vetëm Ferdinand Bregasi)

Kjo bashkësi kompanish ka ofertuar vlerën 756,999,960 lekë pa TVSH ose rreth 10 milionë euro me TVSH, duke e kapur fondin limit thuajse në 98% të vlerës së tij.
Pavarësisht mungesës së garës reale dhe ofertave konkurruese, AKSHI ka shpallur fitues pikërisht këtë bashkim operatorësh, duke shpërndarë miliona euro nga paratë e taksapaguesve në një procedurë me dyshime të mëdha për paracaktim të fituesit.

Sot AKSHI drejtohet nga Igli Tafa, por praktika e tenderave monolog mbetet e njëjtë. Në publik e media pyejta shtrohet vetvetiu: Sa para merren nën dorë e si rryshfet për të kaluar kontrata të tilla miliona eurosh ku fituesi dihet që në fillim?



Nga ana tjetër, edhe ato që trumbetohen si hetime të SPAK-ut ndaj AKSHI-t duken po aq fallso sa vetë ky tender. Ndërsa institucionet e drejtësisë mjaftohen me procedura letrash, paratë e shqiptarëve vazhdojnë të tjetërsohen çdo ditë pa i hyrë asnjë gjëmb në këmbë askujt.