Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e dyfishtë që tronditi sot Livoçin e Ulët të Gjilanit, ku mbetën të vrarë Nafije Bogujevci dhe vëllai i saj, Egzon Bogujevci.
I dyshuari kryesor për këtë krim të rëndë është Valon Ramushi, bashkëshorti i Nafijes, i cili tashmë është vetëdorëzuar në polici.
Sipas informacioneve të publikuara, Ramushi njihet si biznesmen në zonën e Gjilanit. Ai raportohet se është pronar i biznesit “Loni Therm”, si dhe i një lagjeje banimi në Makresh.
Nga të dhënat e raportuara nga Policia, Egzon Bogujevci është vrarë brenda një veture, ndërsa dyshohet se me të njëjtën armë është qëlluar edhe motra e tij, Nafija, e cila u dërgua pa shenja jete në Emergjencën e Gjilanit.
Ngjarja ka shkaktuar tronditje në zonë, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të vrasjes së dyfishtë.
Valon Ramushi mbetet i dyshuar, ndërsa përgjegjësia e tij penale duhet të përcaktohet nga organet e drejtësisë.