Kosova ka vendosur të ulë nga 500 në 300 euro kufirin e pagesave me para të gatshme ndërmjet bizneseve, në kuadër të masave për luftimin e financimit të paligjshëm dhe rritjen e kontrollit mbi transaksionet financiare.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë një aktiviteti të organizuar në kuadër të Procesit të Berlinit, ku ka theksuar se përdorimi i parave CASH e vështirëson gjurmimin e transaksioneve.
Sipas Muratit, pagesat me para në dorë ndërmjet bizneseve do të kufizohen në 300 euro, ndërsa për transaksionet mes bizneseve dhe konsumatorëve kufiri është 2 mijë euro. Pagesat mbi kufirin e lejuar duhet të kryhen përmes institucioneve financiare të licencuara. Ministri ka argumentuar se kjo masë synon të pengojë qarkullimin e parave të paligjshme, të rrisë transparencën dhe të nxisë formalizimin e ekonomisë.
Murati ka folur gjithashtu për kontrollin e tregut të kriptovalutave, duke bërë të ditur se Banka Qendrore e Kosovës ka ndërmarrë hapa për licencimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të këmbimit.
Masat synojnë një ekonomi ku transaksionet janë më lehtë të gjurmueshme, ndërsa përdorimi i parasë fizike kufizohet gjithnjë e më shumë.
Po ju, si e vlerësoni këtë vendim? A do t'ua vështirësojë punën bizneseve kufizimi i pagesave CASH?