Kush është Vinçesk Piroli? I akuzuar për vrasje në Mal të Zi, iu bë atentat në Shkodër

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 09.10.2026, 14:29

Vinçesk Piroli, 38 vjeç, nga Kurbini, është një prej tre personave të arrestuar nga Policia, pasi dyshohet se po përgatitnin një atentat në Lezhë. Pas arrestimit të tij, është bërë publike edhe fotografia e Pirolit, i cili rezulton të ketë precedentë të mëparshëm penalë.

Në pranga, së bashku me të, kanë rënë edhe Elden Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush, dhe Kristian Ymeri, i njohur edhe si Shkambi, 34 vjeç, banues në Kamzë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Policia, dy prej të dyshuarve lëviznin të armatosur dhe të pajisur me skafandra përgjatë rrugës së vjetër “Pllanë-Lezhë”, me një motomjet të raportuar të vjedhur në Suedi. Ndërsa personi i tretë dyshohet se kishte rolin e transportimit të tyre me automjet për t’u larguar nga vendngjarja pas kryerjes së krimit.

Pas informacioneve të siguruara për lëvizjet e dyshimta, Policia e Lezhës, në bashkëpunim me atë të Shkodrës, zhvilloi operacionin e koduar “Detajet”. Gjatë ndërhyrjes në aksin rrugor “Gjadër-Barbullush”, efektivët ndaluan një automjet tip “Volkswagen”, në të cilin ndodheshin të tre të dyshuarit.

Kontrollet e ushtruara në motomjet, në banesën e 25-vjeçarit dhe në ambientet përreth saj çuan në sekuestrimin e tri pistoletave me krehra dhe fishekë, municionit luftarak, si dhe automjetit dhe motomjetit të dyshuar si të vjedhur.

Vinçesk Piroli njihet edhe për përfshirjen e mëparshme në çështje penale. Ai është akuzuar më herët për një vrasje në Mal të Zi, ndërsa në janar të vitit 2022 ka qenë vetë shënjestër e një atentati në Shkodër.

Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur identitetin e personit që dyshohet se ishte objektiv i atentatit të planifikuar në Lezhë. Ndërkohë, hetimet nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë për të përcaktuar motivet dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit