Skandal në Shkup! Dy të rinj dyshohet se u rrahën brutalisht nga policët pasi u lidhën dhe u shtrinë në tokë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 09.10.2026, 12:52

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku dy të rinj, të moshave 21 dhe 23 vjeç, pretendojnë se janë rrahur brutalisht nga pjesëtarë të Policisë më 7 tetor.

Sipas dëshmive të të rinjve, policët dyshohet se kanë shtënë me armë zjarri, u kanë shpuar gomat e veturës dhe më pas i kanë lidhur, i kanë shtrirë në tokë dhe i kanë dhunuar fizikisht.

Ndërkohë, sipas raportimeve, në raportin e brendshëm policor pretendohet se dy të rinjtë i kanë marrë pistoletën një efektivi. Megjithatë, ata e kundërshtojnë këtë version, duke deklaruar se arma kishte përfunduar brenda veturës pasi policët ua kishin thyer xhamin.

Për rastin ka reaguar Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke kërkuar hetim të menjëhershëm, të paanshëm dhe transparent, si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

BDI ka kërkuar gjithashtu dorëheqjen e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, duke theksuar se çdo shkelje e mundshme nga zyrtarët policorë duhet të marrë përgjigjen e duhur institucionale.

Nga ana tjetër, Iseni ka njoftuar se Kontrolli i Brendshëm ka nisur hetimet për rastin dhe ka garantuar se, nëse konstatohen shkelje apo keqpërdorim i autoritetit, do të ketë përgjegjësi.

Ai ka theksuar se uniforma policore duhet të jetë në shërbim të mbrojtjes së qytetarëve dhe jo të cenimit të dinjitetit të tyre.

Rasti mbetet nën hetim, ndërsa pritet të sqarohet se çfarë ka ndodhur realisht mes dy të rinjve dhe zyrtarëve policorë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit