Pano Ruçi, babai i 22-vjeçarit Denis Ruçi, i cili humbi jetën në tragjedinë hekurudhore të Tempit në Greqi, ka humbur ndjenjat gjatë procesit gjyqësor që po zhvillohet në Larisa. Sipas mediave greke, të cituara nga noa.al, ai u ndie keq pas dëshmisë së tij në gjykatë, duke shfaqur tension të lartë dhe simptoma që ngritën shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore.
Pas incidentit, në vendngjarje mbërriti një ambulancë, e cila e transportoi Ruçin në Spitalin e Përgjithshëm të Larisës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Për shkak të situatës, seanca gjyqësore u ndërpre.
Pano Ruçi është babai i një prej 57 viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor të vitit 2023. Ai është bërë një nga zërat e njohur në Greqi në kërkim të drejtësisë për viktimat, duke organizuar protesta dhe duke zhvilluar grevë urie për të kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në vdekjen e djalit të tij.