Një zarf me 4 milionë lekë ryshfet, një kompani publike dhe paratë e tetë bashkive të qarkut Elbasan. Ky është rasti që ka vënë në qendër të hetimeve Leli Krajën, administratorin e “ECO-ELB”, ndaj të cilit GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Kraja u arrestua dy ditë më parë në lagjen “Fushë Mbret” të Elbasanit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Ai dyshohet se ka marrë një zarf me 4 milionë lekë nga një biznes, në një rast që tashmë është në duart e drejtësisë.
Por emri i administratorit nuk del për herë të parë në skenën e hetimeve. Prej vitit 2024, Prokuroria e Elbasanit po heton aktivitetin e kompanisë publike “ECO-ELB” dhe marrëdhëniet e saj institucionale e financiare me tetë bashki të qarkut.
Në korrik 2025, hetuesit ushtruan 14 kontrolle në banesat e personave të lidhur me çështjen, përfshirë edhe banesën e Krajës. Deri më tani, në kuadër të hetimit janë marrë në pyetje 43 persona, mes tyre edhe zyrtarë vendorë, drejtues juridikë dhe përgjegjës të financave.
Dyshimet janë të rënda: shërbime që mund të jenë kryer vetëm pjesërisht, për periudha të kufizuara ose që mund të mos jenë kryer fare, ndërkohë që pagesat dyshohet se janë realizuar.
Dhe këtu lindin pyetjet që kërkojnë përgjigje: Si janë administruar paratë publike? A janë paguar shërbime që nuk janë kryer plotësisht? Kush i ka kontrolluar kontratat dhe faturat? Dhe a do të shkojë hetimi deri te të gjithë personat që kanë pasur përgjegjësi në këtë zinxhir?