Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në orët e para të mëngjesit të së premtes Reformën Territoriale, e cila parashikon ndryshimin e hartës së qeverisjes vendore. Projektligji mori 85 vota pro, duke siguruar shumicën e cilësuar prej të paktën 84 votash që nevojitej për miratimin e tij.
Votimi erdhi pas një seance të gjatë parlamentare, të shoqëruar me debate mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me tensione e protesta jashtë Kuvendit.
Reforma e propozuar nga Partia Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46, përmes bashkimit të 15 bashkive ekzistuese me njësi të tjera vendore. Qarqet nuk ndryshojnë, ndërsa projektligji parashikon edhe riorganizimin e njësive administrative dhe të disa qendrave urbane.
Opozita e ka kundërshtuar draftin, duke e cilësuar procesin të njëanshëm dhe duke ngritur shqetësime për pasojat që ndryshimet mund të kenë për komunitetet lokale dhe shpopullimin e zonave të prekura. Nga ana tjetër, mazhoranca ka argumentuar se riorganizimi synon krijimin e bashkive më të mëdha dhe më të afta për të ofruar shërbime dhe për të përfituar nga fondet e zhvillimit.
Me miratimin në Kuvend, reforma kalon një nga etapat kryesore parlamentare, ndërsa ndryshimet e propozuara pritet të ndikojnë në organizimin e pushtetit vendor në të gjithë vendin.