Gara për të pushtuar qiellin e Tiranës po arrin nivele të reja. Projekti "Mali i Tiranës" me 58 kate, i cili deri më tani konsiderohej si godina më e lartë në kryeqytet, po sfidohet nga një tjetër projekt shumë herë më gjigant në zemër të qytetit.
Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit, mes dhjetëra kërkesave për leje ndërtimi, bie në sy miratimi i projektit për godinën “Tirana Society Towers”, një qiellgërvishtëse me përdorim të përzier prej 77 katesh mbi tokë dhe 10 kate parkim nëntokësor, e cila parashikohet të ngrihet në rrugën “Ludovik Shllaku”, prapa Pallatit të Kulturës. Projekti luksoz mban firmën e arkitektit të njohur kilian, Alejandro Aravena.
Kush fshihet pas ndërtesës 77-katëshe?
Ndërtesa e re do të ngrihet vetëm disa dhjetëra metra larg kullës së Ilir Shtufit ("Nova Construction"), biznesmenit ndaj të cilit struktura e posaçme lëshoi urdhërarrest për pastrim parash për llogari të një grupi kriminal.
Sipas të dhënave zyrtare, subjekti zhvillues i kësaj godine është kompania “National Construction” sh.p.k. Kjo e fundit zotërohet në masën 50% nga "TDT & Partners" (me ortakë Glendi Abdinë dhe Dajlan Avdinë), ndërsa gjysma tjetër e aksioneve i përket kompanisë "Deutschcolor", pjesë e grupit "DC Industries" që kontrollohet nga biznesmeni Luan Muça.
Heshtja politike dhe standardi i dyfishtë i opozitës
Përtej dimensioneve marramendëse të ndërtimit, zhvillimi shoqërohet nga prapaskena të forta politike. Ndërsa Sali Berisha dërgon me reagime publike e protesta figura familjare kundër ndërtimeve pranë Parkut Rinia, bie në sy heshtja e tij e plotë si për fqinjin e tij Ilir Shtufi, ashtu edhe për kullën pranë Pallatit të Kongreseve e lidhur me biznesmenin Shkelzen Beshiri.
Të njëjtën linjë heshtjeje po mban edhe një deputete e opozitës, e cila vetë ka përfituar dy leje ndërtimi në Farkë me ortakë që kanë probleme me ligjin, duke mos thënë asnjë fjalë për projektin gjigant 77-katësh që po ngrihet prapa Pallatit të Kulturës.