Lëvizja e automjeteve nga veriu i vendit drejt kryeqytetit pritet të lehtësohet ndjeshëm përmes një aksi të ri rrugor, i cili do të shmangë tërësisht kalimin tranzit përmes qendrës së Kamzës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur zyrtarisht procedurën e tenderit për studimin dhe projektimin e kësaj lidhjeje të re rrugore, e cila do të mundësojë kalimin e drejtpërdrejtë të mjeteve nga veriu drejt Unazës së Madhe të Tiranës.
Fondi limit i caktuar për këtë fazë të projektimit është 138.6 milionë lekë (pa TVSH). Sipas njoftimit zyrtar, kompanitë e interesuara do të kenë afat deri më 11 nëntor për të dorëzuar ofertat e tyre pranë ARRSH-së.
Procedura e hapur mbulon studimin e plotë të territorit dhe përgatitjen e projektit zbatues, ndërsa kostoja përfundimtare e ndërtimit të këtij aksi strategjik do të përllogaritet gjatë hartimit të këtij inxhinierimi. Kjo ndërhyrje synon të reduktojë trafikun e rënduar në hyrje të kryeqytetit dhe të shkurtojë kohën e udhëtimit për të gjithë drejtuesit e mjeteve që vijnë nga rajonet veriore.