Pazari miliona eurosh që bën bashkë kreun e KQZ-së dhe Fatmir Mediun

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.10.2026, 21:14

Këshilli Kombëtar i Territorit (KKT), i drejtuar nga kryeministri Edi Rama, ka miratuar ndryshimin e një lejeje ndërtimi për vila luksoze në Himarë, ku mes zhvilluesve figuron kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi. Në këtë investim në bregdet, politika, zyrtarët e lartë dhe biznesi i ndërtimit shfaqen krah për krah me interesa të përbashkëta financiare.

Sipas vendimit të KKT-së (pika 55), projekti parashikon ndryshime në strukturat e banimit individual deri në dy kate mbi tokë, me një kat nëntokë dhe mur rrethues. Mes emrave të zhvilluesve figurojnë Ilirjan Celibashi, bashkëshortja e tij Ardiana Mediu, kompania "Beauty International", si dhe biznesmenët e ndërtimit Astrit Kamberi, Dritan Shehu, Artan Nito, Lindita Nito, Arlind Nito, Kledion Nito dhe Sonila Xukthi, raportojnë mediat.

Lidhjet politike dhe kompanitë e përfshira

Në këtë projekt shfaqet drejtpërdrejt familja e kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Bashkëshortja e Celibashit, Ardiana Mediu, është motra e tij, ndërsa kompania "Beauty International" kontrollohet me nga 50% të aksioneve nga dy fëmijët e Mediut, Semela dhe Even Mediu. Kompania e themeluar në vitin 2011 për konsulencë e tregti, e cila deklaronte në vitin 2020 rreth 105 milionë lekë xhiro, sot shfaqet si zhvilluese e vilave në Himarë.

Partner kryesor në këtë investim është kompania "ALB-EDIL", në pronësi të Astrit Kamberit dhe Dritan Shehut, e cila për vitin 2024 deklaroi 617 milionë lekë xhiro dhe 95.6 milionë lekë fitim. Kamberi e Shehu kanë gjithashtu investime në energji përmes një lejeje për park fotovoltaik 40.56 MW në Fier.

Lidhja mes kreut të KQZ-së dhe kompanisë "ALB-EDIL" është e përsëritur. Më 31 maj 2024, dokumentet e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore zbuluan një projekt për banesa në Farkë të Vogël në Tiranë, ku si pronarë e zhvillues figuronin sërish Celibashi, bashkëshortja e tij dhe Dritan Shehu i "ALB-EDIL". Brenda dy viteve, kreu i KQZ-së shfaqet në dy projekte të mëdha ndërtimi me të njëjtin ndërtues.

Pjesë e grupit të ndërtimit në Himarë është edhe Artan Nito, pronar i hotelit "NASSAU" në Dhërmi, i përfshirë më parë në hetimet për fatura fiktive në dosjen "Beqja". Nito kontrollon 60% të kompanisë "NIKI KONSTRUKSION & SOLAR", e cila së bashku me "ALB-EDIL" figuron në dokumentet zyrtare të nëntorit 2024 për projektin e vilave.

Thirrjet për hetim nga SPAK

Ndërsa në vend zhvillohen protesta kundër korrupsionit dhe mbrojtjes së pasurive publike, ky bashkim interesash mes funksionit publik, politikës dhe kapitalit privat ngre pikëpyetje të mëdha mbi burimin e financimit dhe përfitimet ekonomike.

Në kuadër të luftës kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe pastrimit të parave, vëmendja e SPAK-ut kërkohet të drejtohet edhe drejt këtyre projekteve të ndërtimit në Tiranë e Himarë, për të zbardhur çdo marrëveshje pronësie dhe çdo burim financiar prapa vilave luksoze.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit