Detaje të reja janë zbardhur për aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin nacional Korçë-Maliq, ku humbi jetën 18-vjeçari Florian Matraku, banues në fshatin Bulgarec të Korçës.
Mësohet se i riu, i cili ishte djali i vetëm i familjes Matraku, kishte kaluar ditën duke punuar në tokën e familjes, në procesin e korrjes së misrit.
Në orët e mbrëmjes, ndërsa autokombajna kishte përfunduar punën dhe duhej të dilte nga parcela për t’u futur në rrugën nacionale, 18-vjeçari kishte dalë në rrugë për të ndaluar përkohësisht automjetet që lëviznin në aks. Qëllimi ishte t’i krijonte hapësirë mjetit bujqësor për të kaluar në mënyrë të sigurt.
Por situata përfundoi në tragjedi. Teksa ndodhej në rrugë, Florian Matraku u përplas nga një automjet që drejtohej nga Leonardo Skënderas. Ky i fundit u arrestua nga policia pas aksidentit.
I riu u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Korçës, por, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, rreth një orë pas përplasjes ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Aksidenti i mbrëmshëm shënon një tjetër ngjarje të rëndë në të njëjtin aks rrugor. Vetëm tri ditë më parë, në pothuajse të njëjtën zonë, një 60-vjeçar humbi jetën pasi u përplas nga një automjet teksa po udhëtonte në drejtim të Korçës. Sipas të dhënave paraprake, ai po shkonte për të shitur qumështin.
Kështu, brenda vetëm tri ditësh, aksi Korçë-Maliq është përfshirë në dy aksidente me pasoja fatale, duke u marrë jetën dy personave, një 60-vjeçari dhe një 18-vjeçari.