Pjesë e grupit të Laert Haxhiut, lirohet nga qelia Kristi Bixheku

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 07.10.2026, 14:55

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur lirimin e menjëhershëm të Kristi Bixhekut, i akuzuar nga SPAK si pjesë e grupit të Laert Haxhiut, pasi ka konstatuar se ai e ka shlyer tashmë dënimin e dhënë nga shkalla e parë.

Apeli ka pranuar kërkesën e Bixhekut, duke konstatuar shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe duke urdhëruar lirimin e tij, me kusht që të mos mbahet në burg për një çështje apo dënim tjetër. Për zbatimin e vendimit është ngarkuar SPAK.

Një nga elementët kryesorë të vendimit lidhet me mënyrën e përllogaritjes së kohës së paraburgimit. Bixheku u arrestua në Holandë më 4 mars 2025, në kuadër të procedurës së ekstradimit drejt Shqipërisë, ndërsa më 14 mars 2025 u ekstradua dhe vijoi qëndrimin në paraburgim në vendin tonë.

Sipas Apelit, edhe periudha e qëndrimit në paraburgim në Holandë për efekt ekstradimi duhet të llogaritet në kohën e privimit nga liria.

Bixheku ishte dënuar nga GJKKO më 9 qershor 2026 me 3 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi u reduktua me një të tretën, duke zbritur në 2 vjet e 4 muaj, ose 28 muaj burgim.

Apeli ka marrë në konsideratë edhe rregullin ligjor sipas të cilit një ditë paraburgimi llogaritet si një ditë e gjysmë burgim. Sipas përllogaritjeve të gjykatës, Bixheku e kishte përmbushur dënimin prej 28 muajsh më 24 shtator 2026.

Kur kërkesa u shqyrtua më 3 tetor, gjykata ka përllogaritur se ai kishte konsumuar gjithsej 2 vjet, 4 muaj e 12 ditë burgim.

Vendimi vjen ndërkohë që dënimi i dhënë nga GJKKO më 9 qershor nuk kishte marrë ende formë të prerë, pasi ishte ankimuar dhe çështja ndodhej në Apel.

Megjithatë, Gjykata e Posaçme e Apelit ka arsyetuar se kjo nuk mund të justifikojë vijimin e qëndrimit në burg, pasi koha e paraburgimit e llogaritur sipas rregullave ligjore kishte tejkaluar tashmë masën e dënimit të caktuar nga shkalla e parë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit