Skandali që preku mbi 40 mijë transaksione në Raiffeisen Bank ka ngritur pikëpyetje serioze, pasi bëhet fjalë për llogaritë dhe paratë e mijëra qytetarëve. Një anomali në procesimin e batch-it ditor bëri që transaksione të së dielës të regjistroheshin dy herë, duke shkaktuar debitime të dyfishta për qytetarët që kishin tërhequr para apo kryer pagesa me kartë. Edhe pse situata u korrigjua një ditë më pas, përmasat e incidentit ngrenë pikëpyetje të forta mbi kontrollin e sistemeve të bankës dhe sigurinë e proceseve që administrojnë paratë e klientëve.
Përgjegjësia nuk lidhet vetëm me Raiffeisen që në Shqipëri drejtohet nga Christian Canacaris. Banka e Shqipërisë me guvernator Gent Sejkon, si autoriteti mbikëqyrës i sistemit bankar, duhet të japë shpjegime se si është e mundur që një problem i tillë të prekë në masë kaq të gjerë transaksionet e qytetarëve. Kontrolli i nisur nga BSH duhet të sqarojë jo vetëm se çfarë e shkaktoi defektin, por edhe nëse mekanizmat e mbikëqyrjes dhe testimit kanë funksionuar siç duhet. Përballë një incidenti që prek drejtpërdrejt sigurinë financiare të qytetarëve, një njoftim i përgjithshëm nuk mjafton; nevojiten transparencë, përgjegjësi dhe një shpjegim i plotë publik.
Situata bëhet edhe më e rëndë për bankën pasi incidenti ndodhi pak kohë pas kalimit të plotë të sistemeve në cloud, një transformim teknologjik i prezantuar si një arritje e rëndësishme. Nëse hetimi konstaton gabim njerëzor apo dështim në kontrollet teknike, Raiffeisen duhet të përballet me përgjegjësitë përkatëse, ndërsa BSH duhet të shpjegojë nëse e ka ushtruar siç duhet rolin e saj mbikëqyrës. Në fund të fundit, nuk bëhet fjalë thjesht për një defekt teknik, por për një incident që preku paratë dhe besimin e mijëra klientëve.