Vdekja e muratorit shqiptar në Itali, hetime për vrasje nga pakujdesia

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 07.10.2026, 12:31

Një 59-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pasi ka rënë nga skela e një kantieri ndërtimi në Rivabella të Riminit, Itali. Viktima është identifikuar si Saim Myrtaj, murator, ndërsa ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 të së hënës. Sipas rindërtimit paraprak, Myrtaj ndodhej në nivelin e dytë të skelës kur ka rënë përmes hapësirës së platformës së përdorur për kalimin e shkallës, duke përfunduar në tarracën e një apartamenti në katin e parë.

Prokuroria e Riminit ka nisur hetimet për vrasje nga pakujdesia ndaj personave ende të paidentifikuar. Skela është sekuestruar dhe autoritetet po verifikojnë kushtet e sigurisë, strukturën e saj, sistemet mbrojtëse dhe pajisjet personale që përdorte 59-vjeçari. Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet mjekësore, zjarrfikësit, policia dhe teknikë të mjekësisë së punës, ndërsa është marrë në pyetje edhe punëdhënësi i viktimës.

Myrtaj ishte zhvendosur në Rimini në fillim të viteve 2000 dhe kishte punuar kryesisht si murator, duke lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë. Autopsia pritet të ndihmojë në përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë nëse bëhet fjalë për një aksident apo nëse ka pasur shkelje të rregullave të sigurisë në kantier. Humbja e tij ka shkaktuar dhimbje edhe në komunitetin shqiptar të Riminit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit