Kryebashkiaku francez bëhet ‘mburojë’ për studentët, i del para policisë dhe gazit lotsjellës

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 07.10.2026, 11:22

Pamje të pazakonta janë regjistruar gjatë protestave studentore që po zhvillohen në Francë, ku kryebashkiaku i Saint-Denis, Bally Bagayoko, është parë duke qëndruar mes protestuesve dhe forcave të policisë në përpjekje për të parandaluar përplasjet.

Bagayoko, 53 vjeç dhe anëtar i partisë së majtë “La France Insoumise” (LFI), iu bashkua protestës së zhvilluar të martën në Paris. Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale nga gazetari i pavarur Enzo Rabouy, kryebashkiaku shihet përballë forcave të rendit, ndërsa policia përdor gaz lotsjellës ndaj demonstruesve.

Në një moment, Bagayoko u prek edhe vetë nga gazi lotsjellës. Më vonë, ai u pa duke marrë solucion fiziologjik për të lehtësuar irritimin e syve.

Protestat studentore në Francë janë përshkallëzuar ditët e fundit, me dhjetëra mijëra persona që kanë dalë në rrugë në qytete të ndryshme të vendit, përfshirë Parisin dhe Lionin. Demonstruesit kërkojnë më shumë investime në arsimin publik dhe kushte më të mira në shkolla.

Protestuesit ngrenë shqetësime për mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara, problemet me infrastrukturën dhe mungesën e stafit mbështetës. Sipas Reuters, lëvizja është shtrirë në qindra shkolla dhe në disa raste është shoqëruar me përplasje me forcat e rendit.

Në Saint-Denis, situata është tensionuar disa herë gjatë protestave. Bagayoko ka qenë i pranishëm në terren, ku është parë duke lëvizur mes nxënësve dhe policisë dhe duke tentuar të ndërmjetësojë për uljen e tensioneve.

Pas përshkallëzimit të situatës, kryebashkiaku bëri thirrje për deeskalim, duke paralajmëruar se prania dhe ndërhyrja e forcave të policisë mund të rrisnin më tej tensionet. Ai i bëri thirrje presidentit Emmanuel Macron dhe ministrit të Brendshëm Laurent Nuñez të hapin negociata me organizatat studentore.

Bagayoko është shndërruar në një nga figurat më të dukshme politike që mbështesin protestat studentore. Ai ka deklaruar hapur mbështetjen për të rinjtë që kundërshtojnë kushtet në shkolla dhe kërkojnë më shumë burime për arsimin publik.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit