Luhatjet e temperaturave dhe ndryshimi i motit po shoqërohen me shtim të rasteve me viroza respiratore. Sipas mjekëve, përhapjen e infeksioneve e favorizon edhe qëndrimi për periudha të gjata në ambiente të mbyllura, ku ka grumbullime njerëzish.
Ndër simptomat që shfaqen më shpesh në fazat e para të sëmundjes janë lodhja, djersitja dhe temperatura. Ndërsa një pjesë e pacientëve kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore, të tjerë zgjedhin fillimisht të trajtohen në kushte shtëpie dhe i drejtohen mjekut vetëm nëse gjendja nuk përmirësohet.
Pikërisht ndaj vetëmjekimit fokusohen edhe paralajmërimet e bluzave të bardha. Sipas tyre, përdorimi i barnave pa këshillën e mjekut mund të maskojë simptomat ose të vonojë trajtimin e duhur, duke rritur rrezikun për komplikacione në raste të caktuara.
“Kontaktoni mjekun që në shenjat e para. Vetëmjekimi mund të sjellë komplikacione”, këshillojnë mjekët.
Të dhënat zyrtare tregojnë se infeksionet respiratore kanë arritur në rreth 12 mijë raste në javë në rang vendi. Përballë kësaj situate, mjekët rekomandojnë që qytetarët të tregojnë më shumë kujdes ndaj shëndetit, duke i kushtuar rëndësi ushqyerjes, aktivitetit fizik dhe, mbi të gjitha, duke mos neglizhuar simptomat.
Nëse shenjat zgjasin për disa ditë ose gjendja shëndetësore përkeqësohet, këshillohet konsultimi me mjekun dhe shmangia e marrjes së medikamenteve pa rekomandim profesional.