Aktorja e njohur Monika Lubonja ka thyer heshtjen përmes një reagimi publik pas publikimit të disa videove ku ajo shfaqet krah kompozitorit Adrian Hila, duke denoncuar hapur cenimin e privatësisë dhe tradhtinë e besimit nga ana e tij.
Përmes një deklarate, Lubonja ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë dijeni dhe nuk ka dhënë kurrë pëlqimin për t'u regjistruar apo për shpërndarjen e materialeve intime.
"Nuk kam patur dijeni, nuk kam dhënë pëlqim të filmohem, të regjistrohem apo që materiale intime të shpërndahen, të shiten ose të publikohen. Kam dashur dikë dhe kam besuar. Nuk turpërohem për dashurinë që kam dhënë. Më dhemb që besimi im është kthyer në armë kundër meje," është shprehur aktorja.
Më tej, ajo i ka bërë thirrje opinionit publik dhe mediave që të ndalin spekulimet dhe përdorimin e jetës së saj private për argëtim apo "moral kolektiv", ndërsa konfirmon se çështjen e ka dërguar tashmë në dyert e drejtësisë:
"Opinionit publik i kërkoj të mos e kthejë dhimbjen time në argëtim dhe të mos më gjykojë për besimin që i dhashë një njeriu të pabesë. I jam drejtuar drejtësisë dhe do ta ndjek këtë rrugë deri në fund. Dinjitetin tim dhe pabesinë nuk ja fal askujt që përdori jetën time!"
Monika Lubonja e mbylli reagimin e saj duke theksuar se pret që drejtësia të bëjë punën e saj dhe se do të kërkojë forcë që kjo ngjarje të mos ia mbushë zemrën me urrejtje.