Protestë në gjimnazin “Lefter Talo”, nxënësit kërkojnë rikthimin e transportit

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 06.10.2026, 16:10

Rreth 30 gjimnazistë nga Shalësi, Xarra, Çifliku dhe Mursia kanë protestuar këtë të martë pranë gjimnazit “Lefter Talo” në Livadhja, duke kundërshtuar ndërprerjen e transportit shkollor.

Nxënësit kanë bojkotuar mësimin, pasi prej afro tre javësh autobusi që i çonte dhe i kthente nga shkolla nuk është më në funksion. Sipas tyre, transporti ishte i garantuar në momentin që u regjistruan në gjimnaz dhe shërbimi nisi normalisht në ditët e para të vitit shkollor, por u ndërpre vetëm pak ditë më vonë.

Që prej asaj kohe, nxënësit nga katër fshatrat po përballen çdo ditë me vështirësi për të shkuar në shkollë dhe për t’u kthyer në banesat e tyre. Për shumë prej tyre, zgjidhja ka qenë gjetja e transportit me mjete private, ndërsa sipas nxënësve, si alternativë u është propozuar edhe një shërbim transporti me pagesë.

Problemi prek veçanërisht maturantët, të cilët thonë se pasiguria për transportin po u shton vështirësitë në një vit të rëndësishëm shkollor.

Nxënësit shprehen se ky itinerar është mbuluar prej vitesh me transport falas dhe kërkojnë një përgjigje nga institucionet për arsyen e ndërprerjes së shërbimit këtë vit.

Sipas tyre, shqetësimi është përcjellë edhe nga drejtoria e gjimnazit “Lefter Talo” pranë Bashkisë, por edhe pas disa kërkesave, situata nuk është zgjidhur.

“Jemi rreth 30 nxënës dhe prej tre javësh po hasim vështirësi vetëm për të shkuar në shkollë. Në fillim transporti ishte i siguruar, ndërsa tani jemi detyruar të gjejmë mënyra të tjera. Kërkojmë vetëm të rikthehet shërbimi që kemi pasur”, shprehen nxënësit.

Përmes protestës, ata kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse dhe rikthimin sa më shpejt të transportit shkollor për nxënësit e katër fshatrave.

“Jemi nga një zonë e vogël, por kemi të njëjtat të drejta si çdo nxënës tjetër. Janë fëmijë që duhet të shkojnë në shkollë dhe nuk mund të lihen pa transport”, thuhet në apelin e familjarëve dhe banorëve të zonës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit