Garda e Republikës ka zhvilluar kontrolle të imtësishme në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të masave të sigurisë.
Verifikimet janë kryer mbi disa pajisje që kanë mbërritur në ambientet e gjykatës dhe që do të përdoren gjatë proceseve gjyqësore. Kontrollet janë realizuar përpara përdorimit të tyre, si pjesë e procedurave të sigurisë.
Në operacionin e kontrollit është angazhuar edhe një qen i trajnuar posaçërisht për identifikimin e eksplozivëve dhe materialeve apo sendeve të dyshimta.
Masat synojnë evidentimin në kohë të çdo elementi të dyshimtë dhe shmangien e rreziqeve të mundshme, duke garantuar sigurinë në ambientet e GJKKO-së dhe zhvillimin normal të proceseve gjyqësore.