Para 21 vitesh arrestoi Kurtin, dje drejtoi menaxhimin e protestës: Fatmir Balaj, polici që s’e ndryshoi uniformën me pushtetin

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 06.10.2026, 13:17

Fatmir Balaj është një prej zyrtarëve të Policisë së Kosovës që ka qenë dëshmitar dhe pjesë aktive e disa prej momenteve më të tensionuara politike në vend.

Dy dekada më parë ishte pjesë e policisë që arrestoi Albin Kurtin gjatë një proteste, ndërsa mbrëmjen e 5 tetorit u pa sërish në vijën e parë, këtë herë duke menaxhuar protestën pranë institucioneve të Kosovës.

Më 19 tetor 2005, Lëvizja Vetëvendosje organizonte protestën me moton “Jo negociata, Vetëvendosje”, kundër UNMIK-ut. Pas tensionimit të situatës, policia arrestoi Kurtin dhe mbi 30 aktivistë të tjerë. Në radhët e efektivëve që morën pjesë në ndërhyrje ishte edhe Fatmir Balaj.

Gati 21 vite më vonë, skena ishte tjetër, pushteti kishte ndryshuar, por Balaj vijonte të ishte në të njëjtën uniformë.

Të hënën në mbrëmje ai ishte mes zyrtarëve policorë që drejtuan operacionin pranë institucioneve shtetërore, ndërsa protesta në sheshin “Skënderbeu” u tensionua pas rreth 20 ditësh tubime paqësore.

Protestuesit kërkonin votimin në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas aktgjykimit të 16 shtatorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gjatë përplasjes u hodhën mjete piroteknike dhe sende të forta në drejtim të institucioneve dhe policëve, ndërsa forcat e rendit reaguan me sprej, gaz lotsjellës dhe top uji.

Balaj u pa gjatë gjithë mbrëmjes duke komunikuar me protestuesit, policët dhe deputetët. Në një moment ai u koordinua edhe me deputetin e PDK-së, Rrahman Rama, dhe më pas kordoni policor u tërhoq nga një pjesë e sheshit për t’u lejuar protestuesve vijimin e tubimit.

Gjatë protestës, Balaj u dëgjua duke u kërkuar pjesëmarrësve që në turmë të mos kishte persona të maskuar. Fatmir Balaj është ish-kapiten i Njësisë Speciale Operative dhe në vitin 2024 u emërua komandant i Stacionit Policor “Qendra” në Prishtinë.

Ai ka qenë gjithashtu pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ironia e historisë bëri që këtë të hënë të ndodhej përballë disa prej ish-bashkëluftëtarëve të tij, të cilët protestonin për ish-krerët e UÇK-së dhe kërkonin ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.

Karriera e tij është vlerësuar edhe institucionalisht. Më 17 shkurt 2023, presidentja Vjosa Osmani e dekoroi me Medalje Presidenciale për kontributin në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe për angazhimin kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë.

Në vitin 2005 ishte përballë Albin Kurtit protestues. Sot Kurti është kryeministër, ndërsa Balaj vazhdon të jetë aty ku ka qenë prej vitesh: në Policinë e Kosovës, duke zbatuar detyrën pavarësisht se kush është në pushtet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit