Një aksident i rëndë rrugor është shënuar mbrëmjen e sotme në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, ku një 70-vjeçare ka humbur jetën pas përplasjes së dy automjeteve.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:20, në vendin e quajtur “Pazari”, në segmentin Pajovë–Bishqem. Si pasojë e përplasjes janë plagosur edhe dy drejtuesit e automjeteve.
Viktima është identifikuar si Drita Xhaja, e cila fillimisht mbeti e plagosur rëndë, por nuk mundi dot t’u mbijetojë plagëve të marra. 70-vjeçarja ishte pasagjere në njërin prej mjeteve të përfshira në aksident.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e emergjencës dhe Policia, ndërsa vijojnë veprimet për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.