“Pa ujë, pa dyer dhe me tela të ekspozuar”/ Prindërit denoncojnë kushtet në shkollën “Vajdin Lamaj” në Domje

Shkruar nga: Y Pepa | Publikuar më: 05.10.2026, 18:05

Prindërit e nxënësve të shkollës “Vajdin Lamaj” në Domje i janë drejtuar redaksisë së JOQ Albania për të denoncuar kushtet në të cilat zhvillohet mësimi.

Sipas tyre, problematikat janë të pranishme prej vitesh dhe përfshijnë mungesën e ujit të rrjedhshëm në tualete, dyer të dëmtuara ose që mungojnë plotësisht, xhama të thyer dhe probleme me instalimet elektrike.

Në fotot e dërguara në redaksi shihen tualete ku uji mbahet në fuçi dhe kova, ndërsa disa kabina kanë dyer të dëmtuara ose pa dyer. Në një prej ambienteve dallohet edhe një dritare me xham të thyer.

Shqetësim i veçantë ngrihet për gjendjen e instalimeve elektrike. Në disa pamje shihen panele elektrike të hapura, kuti pa kapakë dhe tela të ekspozuar në mure, ndërsa në një klasë duken priza të shkëputura nga muri.

Problemet nuk kufizohen vetëm te tualetet. Në pamje shihen edhe dyer klasash të shkëputura nga kornizat, si dhe tavolina e karrige të thyera të grumbulluara në ambientet e shkollës.

Prindërit pretendojnë se i janë drejtuar Bashkisë Vorë për problematikat, por sipas tyre, deri tani nuk është ndërmarrë një ndërhyrje konkrete. Ata thonë gjithashtu se kanë hasur vështirësi për t'u pritur nga kryetari i bashkisë.

Prindërit kërkojnë verifikimin e menjëhershëm të kushteve të shkollës dhe ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, veçanërisht për problematikat që lidhen me furnizimin me ujë dhe sigurinë e instalimeve elektrike.

JOQ Albania publikon denoncimin dhe pamjet e dërguara nga prindërit, ndërsa mbetet e hapur për reagimin e Bashkisë Vorë dhe institucioneve përgjegjëse.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit