Administratori i kompanisë publike “ECO-ELB”, Leli Kaja, është arrestuar pasditen e sotme në Elbasan, në kuadër të hetimit për menaxhimin e mbetjeve dhe marrëdhëniet financiare të kompanisë me bashkitë e qarkut.
Sipas burimeve, Kaja është vënë në pranga nga agjentë të BKH-së në lagjen “Fushë Mbret” të Elbasanit. Detaje të tjera mbi masën e sigurisë dhe akuzat konkrete ndaj tij pritet të bëhen të ditura në vijim.
Emri i Leli Kajës ishte përfshirë më herët në hetimin e Prokurorisë së Elbasanit për aktivitetin e “ECO-ELB”. Në korrik 2025, në kuadër të këtij hetimi u kryen 14 kontrolle në banesa të personave të lidhur me çështjen, mes tyre edhe banesa e administratorit të kompanisë.
Hetimi, i regjistruar që në vitin 2024, është fokusuar te marrëdhëniet institucionale dhe financiare mes “ECO-ELB” dhe tetë bashkive të qarkut Elbasan. Prokuroria kishte marrë në pyetje 43 persona, ndërsa në fokus ishin vendosur edhe zyrtarë vendorë, përfshirë zëvendëskryetarë bashkish, drejtues juridikë dhe drejtues të financave.
Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimit, janë verifikuar pagesa të kryera nga bashkitë për shërbime të menaxhimit të mbetjeve, përfshirë depozitimin, trajtimin dhe procesin e djegies. Dyshimet e ngritura nga hetuesit lidhen me raste kur shërbimet mund të jenë kryer vetëm pjesërisht, për periudha të kufizuara ose të mos jenë kryer, pavarësisht pagesave të realizuara.
Në materialet e publikuara në qershor 2025 u raportua se në total ishin evidentuar 668 pagesa nga tetë bashkitë, ndërsa prokuroria po verifikonte nëse shërbimet e parashikuara në kontrata ishin kryer realisht dhe në përputhje me detyrimet kontraktuale.
Hetimi është regjistruar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Keqmenaxhimit të mbetjeve”. Megjithatë, deri në zbardhjen e vendimit të gjykatës dhe akuzave konkrete ndaj Kajës, këto duhet të konsiderohen si pjesë e objektit të hetimit dhe jo si përgjegjësi e provuar e administratorit.
Tashmë arrestimi i Leli Kajës shënon një zhvillim të ri në dosjen “ECO-ELB”, ndërsa pritet që Prokuroria të japë më shumë detaje mbi rolin konkret që i atribuohet atij në çështjen e hetuar.