Situata është tensionuar këtë të hënë para Kuvendit të Kosovës, ku janë thyer xhamat e disa zyrave, ndërsa protestuesit kanë kaluar rrethojat dhe kanë tentuar të afrohen drejt hyrjes së objektit.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, drejt hapësirave të Kuvendit janë përdorur mjete të forta dhe mjete piroteknike.
Tensionet kanë vijuar edhe pasi deputetët miratuan në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Krismat e mjeteve piroteknike janë dëgjuar edhe gjatë zhvillimit të seancës plenare.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë dhe karakterin paqësor të tubimit, duke theksuar se “as UÇK-në e as çlirimtarët nuk mund t’i mbrojmë me dhunë”.