Afera KAYO, kush është Aleks Marku që BKH i sekuestroi telefonin?

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 04.10.2026, 14:49

BKH ka sekuestruar telefonin dhe dokumente nga zyra e Aleks Markut, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, në kuadër të hetimeve të SPAK lidhur me denoncimet për trafikimin e armëve. Marku, ish-drejtues juridik dhe i prokurimeve në Portin e Durrësit, është emëruar në Ministrinë e Mbrojtjes gjatë kohës kur Pirro Vengu drejtonte institucionin. Sekuestrimi i pajisjeve dhe dokumenteve është kryer me vendim të GJKKO-së, ndërsa në të njëjtën çështje janë sekuestruar edhe telefona të biznesmenit Ron Yeffet, biznesmenes Arjeta Puça dhe kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.

Emri i Markut lidhet edhe me procedurat e prokurimit në Portin e Durrësit. Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë periudhës kur Vengu drejtonte portin, Marku mbulonte sektorin juridik dhe të prokurimeve, ndërsa më pas u emërua drejtor kabineti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe sekretar i përgjithshëm. Në një prej procedurave të përmendura, Ministria e Mbrojtjes shpalli një tender me vlerë rreth 1.4 milionë euro për punime në repartin ushtarak të Ferrajit, edhe pse sipas dokumenteve të cituara sheshi i parkimit ishte ndërtuar më herët dhe kishte garanci 10-vjeçare. Drejtoria e Financës dhe Buxhetit e kishte kundërshtuar procedurën si shpenzim të paplanifikuar.

Një tjetër pikë ku shfaqet emri i Markut është “Albanian Seaports Development Company”, kompania shtetërore që zotëron 33% të “Durrës Marina”, ndërsa 67% kontrollohet nga “Eagle Hills Real Estate Development” e Mohamed Alabbar. Në kuadër të projektit janë vënë në dispozicion rreth 820 mijë metra katrorë truall shtetëror. Po ashtu, gjatë tre muajve të parë të drejtimit të Pirro Vengut në Ministrinë e Mbrojtjes, janë firmosur 82 procedura prokurimi me vlerë totale rreth 45 milionë euro, sipas të dhënave të bëra publike, ndërsa një pjesë e tenderëve u zhvilluan me oferta pranë fondit limit.

Sekuestrimi i telefonit dhe dokumenteve të Markut vjen në një moment kur SPAK po zgjeron hetimet pas kontrollit në banesën e biznesmenit Ron Yeffet, ku u gjetën gjashtë armë. Përveç çështjes së armëve, të dhënat e bëra publike kanë ngritur pikëpyetje edhe mbi procedurat e prokurimeve dhe vendimmarrjet ku Marku ka pasur rol. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse këto procedura dhe lidhjet mes zyrtarëve e biznesmenëve kanë pasur elementë të shkeljeve penale./ Publik Media

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit