Lamine Yamal vazhdon të mahnisë me fanellën e Spanjës. Mbrëmjen e djeshme, në fitoren 3-1 ndaj Republikës Çeke në Nations League, 19-vjeçari realizoi një tjetër gol spektakolar, duke bërë që edhe trajneri Luis de la Fuente të mbetej me duart në kokë nga ajo që pa.
Yamal zhbllokoi sfidën në minutën e 6-të, pas një aksioni të nisur nga Dani Olmo. Sulmuesi i Barcelonës mori topin në të djathtë të zonës, u përball me disa mbrojtës dhe, pasi krijoi hapësirën e nevojshme, lëshoi një goditje të harkuar që përfundoi në cepin e largët të portës.
Ishte një tjetër moment magjik për Yamal, i cili tashmë ka shënuar në tre ndeshje radhazi të Spanjës dhe ka vendosur një rekord të veçantë: është lojtari i parë që shënon brenda 10 minutave të para në tri ndeshje radhazi me kombëtaren.
Por ajo që tërhoqi jo pak vëmendje ishte edhe reagimi i trajnerit Luis de la Fuente. Në momentin e golit, tekniku spanjoll u kap nga kamerat me duart në kokë, i mahnitur nga ekzekutimi i yllit të Barcelonës.
Pas ndeshjes, De la Fuente nuk i kurseu elozhet për talentin e Yamalit.
“Nuk pushon së na surprizuari të gjithëve. Ka kaq shumë talent dhe cilësi, sa versionin më të mirë të Lamine ende nuk e kemi parë. Ka shumë më tepër për të ofruar, sepse është kaq elegant, kaq i talentuar dhe me kaq shumë potencial”, u shpreh trajneri spanjoll.
Spanja në fund triumfoi 3-1, me Rodrin që shënoi golin e dytë dhe Mikel Merinon që vulosi fitoren në minutën e 89-të. Me këtë sukses, kampionët e botës regjistruan fitoren e tretë në po kaq ndeshje në grup dhe e çuan në 41 numrin e ndeshjeve radhazi pa humbje.