Zbardhen detaje nga aksidenti tragjik në Korçë, ku humbi jetën 60-vjeçari Refat Agolli, banues në fshatin Bulgarec.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm, teksa 60-vjeçari ishte nisur, si çdo ditë, me biçikletë nga Bulgareci drejt qytetit të Korçës. Agolli po transportonte qumështin që prodhonte për ta shitur në qytet, një aktivitet përmes të cilit siguronte të ardhura për familjen.
Gjatë rrugës, ai u përfshi në një përplasje me një automjet që drejtohej nga një punonjës policie me inicialet D.M. Përplasja rezultoi fatale për 60-vjeçarin, i cili nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
I plagosur rëndë mbeti edhe punonjësi i policisë, i cili u transportua në Spitalin Rajonal të Korçës dhe raportohet se ndodhet në reanimacion.
Aksi rrugor ku ndodhi aksidenti përdoret çdo ditë nga banorë të Bulgarecit, Çifligut dhe Lumalasit, të cilët udhëtojnë drejt Korçës për të shitur qumësht, produkte bujqësore dhe produkte të tjera të fermave të tyre.
Lëvizja me biçikleta dhe mjete të tjera të lehta është e zakonshme në këtë zonë, ndërsa banorët thonë se ndër vite në këtë aks janë shënuar edhe aksidente të tjera me banorë të fshatrave përreth.