40-vjeçari Ornado Çeta, alias Ceta, është arrestuar në Tiranë nga Policia, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Ai u lokalizua dhe u kap në zonën e Saukut nga shërbimet e Sektorit për Kërkimin FAST Albania, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “FAST”.
Çeta është dënuar nga Gjykata e Apelit e Triestes me 21 vjet, 9 muaj e 20 ditë burgim për veprat penale “Vjedhje të rënda”, “Mashtrim”, “Trafikim të lëndëve narkotike”, “Posedim të pasurisë me origjinë kriminale”, “Plagosje”, “Kanosje” dhe “Kundërshtim ndaj punonjësve të policisë”. Nga dënimi i dhënë, atij i kanë mbetur për të vuajtur 20 vjet, 6 muaj e 14 ditë burgim.
Pas arrestimit, 40-vjeçari është ndaluar me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për përfundimin e procedurave të ekstradimit, ndërsa autoritetet italiane do të kërkojnë ekzekutimin e pjesës së mbetur të dënimit.